Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), organizuan tryezë diskutimi me temë “Përafrimi i legjislacionit shqiptar me Direktivat e BE-së për mbikëqyrjen e konglomerateve financiare dhe skemën e kompensimit të investitorit”.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Bankës së Shqipërisë, Agjensisë së Sigurimit të Depozitave, institucioneve financiare, si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë në fushën e shërbimeve financiare.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, Mimoza Kaçi, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së angazhimeve në kuadër të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”, lidhur me harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me Acquis të BE-së.
Gjatë aktivitetit u lançua projekti “Për vlerësimin e Kompensimit të Investitorëve”, si dhe u prezantua dokumenti teknik mbi harmonizimin e legjislacionit vendas me Direktivën e BE-së për mbikëqyrjen e Konglomerateve Financiare.
Kaçi nënvizoi se “Vendosja e rregullave dhe standarteve evropiane i përgjigjet dinamikës dhe trajektores së zhvillimit të tregjeve nën mbikëyrje. Qëllimi ynë është të krijojmë një mjedis transparent dhe eficient që minimizon rreziqet dhe promovon stabilitet e qëndrueshmëri”.
Në përfundim të takimit, Kaçi shprehu angazhimin e Autoritetit për të kontribuar në avancimin e modernizimit të tregjeve financiare në vend dhe forcimit të mbrojtjes së investitorëve dhe konsumatorëve./ata