Kryeministri Edi Rama ishte sot në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome në Elbasan, ku me investimet e reja sigurohet respektimi i të gjitha standardeve mjedisore dhe sociale, si detyrim i të gjitha sipërmarrjeve që ta mbrojnë dhe të mos ndotin hapësirën e përbashkët.

Kryeministri vlerësoi investimin prej 2 milionë euro të kompanisë për vendosjen e filtrave të pastrimit, të cilin e konsideroi premtim të mbajtur.

“Sot na solli këtu një premtim i mbajtur i kompanisë pas një udhëkryqi dhe një ngërçi të krijuar si rezultat i reagimit legjitim të komunitetit dhe po ashtu edhe një reagimi legjitim të institucioneve shtetërore për të ndalur emetimin e CO2 duke vendosur të gjithë filtrat e domosdoshëm”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se kompania e kishte në plan ta bënte këtë investim, por nga ana tjetër për qeverinë ishte e domosdoshme që ky investim të vendosej në prioritetet e kompanisë, si prioriteti numër 1.

“Faktikisht ne kemi pasur edhe një diskutim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesin e kompanisë i cili kërkoi me të drejtë një fazë tranzicioni duke garantuar që puna për të transformuar të gjithë sistemin e grumbullimit dhe pastrimit të pluhurit do të vendosej në prioritetet kryesore të kompanisë dhe duke garantuar fillimin e menjëhershëm të investimit”, shtoi Rama.

Sipas tij, ky është një investim i konsiderueshëm për sistemin e filtrimit, prej 2 milionë euro.

Rama tha se investimi është i mirëpritur nga komuniteti dhe institucionet e shtetit, sepse kjo është një betejë e përditshme që duhet ta fitojmë të gjithë së bashku.

“Kjo arrihet jo thjesht duke vendosur masa drastike, por duke arritur të ndërtojmë urat e dialogut dhe mirëkuptimit, si në këtë rast. Sot në 1 Maj, jemi këtu që jo vetëm të shohim rezultatin e këtij investimi dhe gjithë transformimin e bërë por edhe për të rritur cilësisht kushtet e punëtorëve”, tha Rama.

Ai vlerësoi po ashtu kompaninë që ka bërë rritje të ndjeshme të pagës mesatare.

“Paga mesatare e kompanisë AlbChrome në tërësi është 1 mijë euro dhe paga mesatare e kompanisë në këtë impiant është rreth 900 euro, një pagë e konsiderueshme dhe  e respektueshme krahasimisht me nga jemi nisur 10 vjet më parë. Kjo pagë shpreh edhe botëkuptimin e kompanisë që bazohet tek nevoja që punonjësi të jetë i motivuar, i respektuar dhe të gjithë së bashku të krijojnë komunitet”, tha Rama.

Rama nënvizoi se kompania kjo kompani operon në mbi 50 vende të botës dhe është e njohur për përgjegjshmërinë e vet sociale dhe për krijimin e kësaj ndjenje të komunitetit./ata