Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani mori pjesë sot në takimin që Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali zhvilloi me drejtuesit e institucioneve të pavarura në vend.
Në fjalën e tij, Metani vlerësoi se Reforma në Drejtësi krijoi një arkitekturë shumë të mirë të organeve të drejtësisë.
Po ashtu, sipas tij, “ajo krijoi dhe një bazament shumë të fortë, jo thjesht për raportet e institucioneve të drejtësisë me Kuvendin dhe me politikën dhe shoqërinë, por për të gjitha institucionet e tjera, të bazuar në një filozofi të fortë të ndarjes së pushteteve”.
“Marrëdhënia e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me Kuvendin ka qenë funksionale. Inspektorit të Lartë të Drejtësisë i janë plotësuar nevojat qoftë për buxhetim, qoftë për strukturim e kështu me radhë. Po e ngre në nivel krejt parimor, që ne kemi nevojë të flasim me njëri-tjetrin për vlerat, në të cilat ne duhet të bazohemi, për të rritur cilësinë e dhënies së drejtësisë në organet e drejtësisë, por edhe nivelin e mentalitetit të kulturës politike apo diskutimet ndërmjet njëri-tjetrit, kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai./ata