Pas rikonstruksionit të dy qendrave shëndetësore në Bathore dhe Paskuqan, qarkut të Tiranës i shtohen edhe tri qendra të tjera plotësisht të rikonstruktuara në Farkë, Prush dhe Frutikulturë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga këto qendra shëndetësore, të rikonstruktuara me kushtet më të mira.
Koçiu u shpreh se këto qendra do të ofrojnë shërbim për 16 781 banorë, duke garantuar kujdes më të mirë dhe më të aksesueshëm për të gjithë.
“Kjo është një arritje e rëndësishme në përpjekjet për modernizimin e sistemit shëndetësor në vend. Me këto Qendra Shëndetësore të rikonstruktuara, programi i rehabilitimit të 400 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin vazhdon me ritme të shpejta”, u shpreh ministrja Koçiu.
Ministrja theksoi se përgjatë viteve 2023-2024, kanë përfunduar 60 qendra shëndetësore, duke kontribuar në një shëndetësi më të fortë për Shqipërinë./ata