Kjo e premte është dita e fundit në liri për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Gjykata e Apelit me vendimin e marrë një ditë më parë e dënoi atë me 1 vit burg për kallëzim të rremë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj, të cilin e akuzoi për trafik droge, pas publikimit të një audiopërgjimi.
Sot nga selia e PD, Salianji zhvilloi një konferencë me gazetarët duke deklaruar se dënimi ndaj tij u bë me urdhër politik.
“Sot është dita ime e fundit në liri. Do të shihemi sërish pas një viti”, deklaroi Salianji para gazetarëve.
Ai tha se ka një nxitim nga ana e Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit për ta prangosur atë, pa i dhënë të drejtën e apelimit të vendimit të djeshëm.
“Kam komunikuar që dje me Drejtorinë e Policisë dhe prokurorët për ti thënë që jam gati, çfarë ju duhet se këta nuk të gjejnë dot. I keni parë ju të gjithë grupet kriminale del urdhërarresti nga SPAK vetëm letra i mbetet në dorë, por njerëzit ikin. Unë nuk hyj tek ata, unë jam nga ata që përballem. Duke qenë se e kanë dhe me nxitim vetë. Por proceduara është se prevalon e drejta e ankimimit, përpara ekzekutimit të vendimit, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz që nuk kanë ndonjë rrezikshmëri. Pa pasur unë një vendim të Gjykatës së Apelit për të bërë ankimin në Gjykatën e Lartë, Apeli ja ka çuar Prokurorisë së Tiranës dhe është hedhur shorti për zgjedhjen e prokurores. Kjo është bërë për të ndaluar kandidimin tim në zgjedhjet e 2025 për të mos qenë në fushatë apo në listën e kandidatëve. Në lidhje me vendimmarrjen jemi duke diskutuar në mbledhjen e grupit dhe ka mendime të ndryshme nga kolegët të cilët do të dëgjoj dhe më pas do të marrin vendimin”, tha ai.
Salianji shtoi se qëndrimi i tij nuk do të ndryshojë sa i takon raportit që do të mbajë me autoritetet ligjzbatuese të cilat tashmë kanë në dorë urdhrin për ekzekutimin e vendimit.
“Do të jem aty ku e ka caktuar regjimi. Do t’i bëj të gjitha veprimet e mija që kanë të bëjnë me komunikimin me publikun dhe vendimmarrje e PD. Unë as nuk kam fituar personalisht nga kjo, madje në shumë dimensione kam humbur. Se është sakrificë të përballesh me të gjithë institucionet shtetërore dhe cdo grup që i shërben atyre apo njëri-tjetrit për të mbajtur këtë pushtet në këmbë. Nuk është çështje që ka nisur për shkak të një interesi vetjak, është çështje që i tejkalon interesat personale. Do dëgjoj kolegët por kam vendimmarrjen time. E kam thënë dhe dje“, vijoi ai.
Salianji ftoi mbështetësit e PD t’i bashkohen protestës së 6 tetorit, duke shtuar se opozita nuk do të shuhet.
Mbështetje, tha Salianji, ka marrë edhe nga ata deputetë që nuk militojnë në radhët e PD dhe kjo sipas tij tregon se vendimi i marrë nga Gjykata e Apelit është i padrejtë.
“Po ta shihni, reagimet kanë qenë të shumta, kam marrë mbështetje. Kam patur komunikim me të gjithë politikanët kryesorë të opozitës. Ju i keni parë që edhe deputetë të cilët nuk janë zyrtarisht në PD kanë reaguar”, tha më tej Salianji./BalkanWeb