Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi në një deklaratë për mediat ka kërkuar nga kreu i KQZ, Ilirian Celibashi që të ndalojë kandidatin e PS, Qerim Ismailaj për kryetar bashkie pasi ka fshehur dënimin në Greqi.

Bardhi tha se KQZ duhet të administrojë formularin e vetëdeklarimit të paraqitur nga Ismailaj dhe të konstatojë pengesën ligjore të këtij kandidati për të marrë pjesë në zgjedhje.

 

Sakaq shtoi se sipas ligjit të dekriminalizmit një personi të dënuar i ndalohet të ushtrojë funksione publike apo të kandidojë në zgjedhje, deri në periudhën e rehabilitimit.

 

“Qerim Ismailaj ishte i dënuar me tre vite burg në Greqi. Edhe pse e mohoi, prokuroria dhe gjykata vërtetuan se denoncimi i PD ishte i vërtetë dhe se ishte një ish- i dënuar me tre vite në Greqi dhe se i ishte fshehur autoriteteve atje. Në muajin shkurt GJKKO e gjeti fajtor Edi Ramën e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, duke e dënuar për falsifikim të formularëve me 6 muaj. Celibashi dhe këshilli i ministrave duhej të kishin urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra. Ky urdhër nga kushtetuta e ligji nuk u ndërmor as nga Celibashi as nga Këshilli i Ministrave. Me një akt të paprecedentë, në injorim të thirrjeve të SHBA për kandidatë të pastër e të padënuar dhe jo me precedent, vendosën të rikandidojnë Isamailajn për bashkinë e Mallakastrës. KQZ në shkelje të ligjit të dekriminalizimit ka konfirmuar kandidaturën e tij. Ky vendim gjykate që është pranuar edhe nga vetë Ismailaj se nuk është ankimuar, dhe sipas gjykatës ka marrë formë të prerë, i  ndalon atij kandidimin. Periudha e ndalimit nënkupton që Ismailaj nuk mund të ushtojë detyrën në asnjë institucion apo kandidat deri në periudhën e rehabilitimit që përfundon më 29 mars 2025. I jemi drejtuar KQZ duke e vënë në dijeni për shkeljen flagrantë të ligjit të dekriminalizmit, injorim të deklaratave të partnerëve, duke i kërkuar të rishohë dhe të zbatojë ligjin e dekriminalizmit. Brenda ditës depozitojmë ankim në KAS”, tha Bardhi.