Kryeministri Edi Rama tha se Izraeli dhe Palestina duhet të zgjidhin konfliktin përmes dialogut.

Në fjalën e tij, në sesionin e 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, në Nju-Jork, Rama tha se në botën ku jetojmë nuk mund të ketë vend për terrorizmin e Hamasit. Ai shtoi se Shqipëria mbështet dialogun për zgjidhjen me dy shtete të pavarura, Izraelin dhe Palestinën.

“Një tjetër luftë po vlon në Juglindje të Europës. Shqipëria i qëndron e palëkundur qëndrimit të saj se nuk ka vend për Hamasin dhe të ngjashmit e tij në botën ku duam të jetojmë, në të drejtën plotësisht të njohur të popullit palestinez të kenë vetë vendin e tyre të sigurt në këtë botë dhe të drejtën për të lindur e rritur fëmijët e tyre në shtetin e tyre”, tha Rama.

“Garantimi i një kushti kaq bazë për miliona palestinezë është shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, po aq sa është më shumë e lehtë të thuhet sesa të bëhet që populli hebre të jetojë në tokën e vet ndërkohë që askënd nuk e vë në pikëpyetje të drejtën e tij për të ekzistuar”, u shpreh Rama.

“Duhet të ri kalibrojmë busullën tonë morale në Lindjen e Mesme. Po, por nuk ka asnjë busull morale që të relativizojë dhe largqoftë, të normalizojë terrorin e një organizate terroriste si Hamasi si pjesë e paqes që të gjithë e duam mes Izraelit dhe Palestinës. Ta bësh këtë, do të ishte njësoj si të relativizoje murtajën e antisemitizmit e të pranoje të bashkë ekzistoje me një formë të mbrapshtë të re nazizmi, që është e keqja më e madhe që mund të kishte ndodhur për kaq shumë vjet së pari e mbi të gjitha, për vetë popullin palestinez”, theksoi kryeministri.

“Megjithatë nuk është kaq e vështirë ta thuash fort e me zë të lartë, që kaq shumë dhunë e shkatërrim nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë si për Izraelin ashtu edhe për Palestinën dhe duhet të ndalet. Konfirmojmë edhe një herë këtu, mbështetjen kombëtare për një zgjidhje të drejtë e gjithëpërfshirëse të konfliktit izraelito-palestinez mbështetur në zgjidhjen me dy shtete”, vijoi Rama.

“Shqipëria mbështet përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë konflikt përmes dialogut e bisedimeve që çojnë në një zgjidhje të vërtetë, të pavarur, shteti që jetojnë në paqe e në fqinjësi të mirë; një shtet funksional i Palestinës dhe një shtet sikur Izraeli, që në vend që t’i bëjnë leksione nga lart, duhet mbështetur , jo duke thënë, “po por…” në luftën kundër terrorizmit ndërkohë që ka qindra të pafajshëm që ende mbahen në vende ferri , në faqen e tokës nga ’kasapët’ e 7 tetorit të vitit të kaluar”, u shpreh Rama./ata