Kryeministri Edi Rama deklaroi në fjalën e tij në sesionin e 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, në Nju-Jork, se perspektivat për një botë më të paqtë, më të drejtë e të barabartë janë të mjegullta.
Rama u shpreh se janë marrë angazhime kundrejt paktit për të ardhmen, dhe se jo gjithmonë janë mbajtur dhe se për këtë kemi paguar çmimin.
“Ndërsa takohemi këtu sot, përballemi me një tjetër vit krizash e konfliktesh komplekse, ndërsa një botë thellësisht e përçarë rri e sheh. Perspektivat tona për një botë më të paqtë të drejtë e të barabartë janë të mjegullta sot. Tonat janë kohëra sfiduese. Disa ditë më parë u zotuam kundrejt paktit për të ardhmen, një kuadër solid me nivel të lartë ambicieje dhe rezultate që duhen zbatuar. Kemi marrë angazhime të tilla në të shkuarën. Jo gjithmonë i kemi mbajtur, për ta thënë shumë butë. Kemi paguar çmimin. Ky është një tjetër shans që e marrim nën trysni për të bërë ndryshimin për një të ardhme më të paqme dhe begatë, ndërkohë që kohërat në të cilat jetojmë nuk mund të ishin më të zymta”, deklaroi ai.
Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria me përulje i bashkohet këtij diskutimi pas përmbylljes së misionit të vet për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Ne, tha Rama, kishim për qëllim të përfaqësonim atë komunitet vendesh që qëndron së bashku për vlera e parime që janë të panegociueshme. Shpresojmë, shtoi ai, të kemi përmbushur pritshmëritë e shumë prej jush.
“Sot më shumë kemi nevojë për tolerancë, një dorë të shtrirë miqësie drejt njëri-tjetrit. Mos u gaboni, me tolerancë nuk nënkuptoj vetëkënaqësi. Toleanca kërkon të shkojmë përtej zonave tona të rehatisë, jo thjeshtë duke pranuar këndvështrimet e tjetrit, por duke u angazhuar në mënyrë konstante me kompleksitetin e të gjithë historive tona. Për ne shqiptarët tolerancë nuk është thjeshtë pranimi pasiv i diversitetit të dikujt, tolerancë që shqiptarët myslimanë e të krishterë shprehën gjatë Luftës II Botërore ndaj hebrenjve, duke vënë jetën tyre në rrezik, e duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në Europë që mbylli Luftën me më shumë hebrej sesa kishte kur nisi lufta”, deklaroi Kryeministri.
Sipas tij, kjo kërkon frymën e vet partizane, kërkon të angazhohesh në atë që është ndryshe nga ty, të paqtosh mosmarrëveshjet me respekt e të vazhdosh të ndërtosh ura, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të debatojmë e të nxisim mirëkuptim e paqe të mëtejshme, duke vënë veten në vendin e tjetrit.
“Kërkon kështu të vazhdojmë të sfidojmë veten duke reflektuar mbi mudësitë e paragjykimeve që kemi ne, duke reflektuar mbi arbitraritetin dhe njëanshmërinë që u veshim të tjerëve dhe duke vënë për herë në pikëpyetje standardet tona të dyfishta morale”, theksoi ai.
Me besim në njerëzim e humanizëm Shqipëria, tha Rama, u shndërrua në strehën e sigurt për njerëzit që ikën nga vdekja, pas rënies së Kabulit nën talibanët, të cilët u mikpritën e pranuan nga vendi jonë, ndërkohë që shtete anëtare të NATO-s, më të pasura u kthyen shpinën.
“U dhamë strehë refugjatëve iranianë, jetët e të cilëve cenoheshin, çdo ditë në kampin “Liria” në Irak, ku masakroheshin nga vrasësit e Teheranit”, u shpreh Rama.
Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria pagoi një çmim të madh për mikpritjen e tyre.
“Regjimi totalitar i Teheranit u angazhua në sulm masiv kibernetik kundër Shqipërisë që synonte të gjunjëzonte vendin, duke përfshirë të gjithë infrastrukturën tonë digjitale. Ishin mjaft brutalë, por dështuan mjerisht. Ne nuk u lëkundëm e nuk do të lëkundemi në angazhimin tonë për të strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme. Mikpritja jonë nuk ka qenë e nuk është aspak e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humaniste gdhendur në shpirtin tonë si komb”, deklaroi Kryeministri.
Rama komentoi edhe marrëveshjen me Italinë për refugjatët.
“Së fundmi, i shtrimë dorën Italisë, në përpjekje për të lehtësuar vështirësitë me të cilat e ka ngarkuar gjeografia, me një prej dukurive më trysnuese të kohëve tona, migracion. Në vend që thjeshtë të flisnim, u përpoqëm të vepronim pa pretenduar të zgjidhnim problemin e madh të migracionit në Europë”, u shpreh Rama.
Por, shtoi ai, nga ana tjetër nuk qëndruam duarlidhur. “Duke u përpjekur të ndërtonim diçka konstruktive, bëmë pjesën tonë. Kjo qënie solidariteti e bashkëpunimi është boshti i politikës në vendin tonë”, deklaroi ai./ata