Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi sot në Nju-Jork me kardinalin Pietro Parolin, ka kërkuar që Selia e Shenjtë të hapë misionin e saj në Prishtinë, duke ndjekur kështu shembullin e Kosovës me hapjen e misionit të saj në Vatikan.
Kurti ka njoftuar sekretarin e Shtetit të Vatikanit rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë.
Kurti theksoi se Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe se në këtë drejtim Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt.
Më herët këtë vit, Prishtina zyrtare ka hapur misionin e posaçëm në Vatikan, vend ky i cili ende nuk ka marrë vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.
Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, misioni i posaçëm është një “mision i përkohshëm, që përfaqëson Kosovën në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Kosovës”. Themelimi, përbërja dhe funksionet e misionit të posaçëm përcaktohen me vendim të presidentit, pas konsultimit me kryeministrin.
Kryeministri Albin Kurti ndodhet në Nju-Jork, SHBA, ku merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
/KosovaPress/