Çiklistja 18-vjeçare zvicerane Muriel Furrer humbi sot jetën, pasi u rrëzua një ditë më parë gjatë garës për femra në kampionatin botëror të çiklizmit në Zyrih, Zvicër.
Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit dhe organizatorët e Kampionatit Botëror njoftuan vdekjen e saj në Spitalin Universitar të Zyrihut, ku po trajtohej pas aksidentit të djeshëm.
“Me vdekjen e Muriel Furrer, komuniteti ndërkombëtar i çiklizmit humbi një çikliste me të ardhme të ndritur”, tha UCI në një deklaratë. Familja e Murrerit ka kërkuar që të respektohet privatësia e tyre në këtë kohë të vështirë.
Furer pësoi dëmtim të rëndë në kokë, pasi u përplas në garën për femra në Kampionatin Botëror në Zyrih. Ajo u rrëzua në një zonë pyjore në anën veriore të liqenit të Zyrihut, që përdoret në të gjitha garat rrugore.
Furrer fitoi medaljen e argjendtë si në provën e të rinjve, ashtu edhe në garën rrugore në kampionatin kombëtar zviceran të këtij viti.
Furrer u transportua me helikopter në spital, por mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën.
Shkaku i saktë i rrëzimit mbetet ende i panjohur, por hetimet vazhdojnë. Kampionati Botëror i Çiklizmit vijoi sot me garën për meshkuj nën 23 vjeç./ata