Partia Demokratike njoftoi sot se u ka dërguar “dosjen Salianji” kancelarive dhe mediave kryesore në botë, nga Kongresi Amerikan te New York Times.
Ervin Salianji u vetëdorëzua të premten në Polici, teksa u transferua më tej në Burgun e Fierit ku do të kryej dënimin e vendosur nga Gjykata me 1 vit burg, për akuzën e “Kallëzimit të rremë”, lidhur me atë që njihet si dosja “Babale”
Në njoftimin e ndarë nga zyra e shtypit të PD, ku dënimi i Salianjit cilësohet si burgosje politike, Partia Demokratike shkruan se, “në 15 pika shpjegohet shkurtimisht saga e denoncimeve të cilat nisën në vitin 2018 kur Ervin Salianji publikoi vendimin e formës së prerë të Gjykatës Italiane, që kishte dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge vëllain e Ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj.”
“Në dosje është pasqyruar fakti se pas këtyre denoncimeve, Agron (Geron) Xhafaj shkoi në burg në Romë, Itali, ndërsa vëllai i tij, Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dha dorëheqjen nga detyra. Në dosje ndër të tjera sqarohet se “Vendimi politik për burgosjen e opozitarit Ervin Salianji u bë nga trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala dhe Iliba Bezati. Genti Shala është ish-përfaqësues politik i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kandidat për anëtar i Gjykatës së Lartë, ku dihen lidhjet e forta të Fatmir Xhafajt.”, përfundon njoftimi i PD./ata