Ndërsa mikrobiologia spanjolle Pilar Bosch po kërkonte një subjekt hetimi për doktoraturën në 2008, ajo lexoi se bakteret mund të përdoreshin për restaurimin e artit, që është fusha e ekspertizës së nënës së saj.
Në të njëjtin moment, nëna e saj, Pilar Roig, po përpiqej të restauronte pikturat e shekullit të 18 nga Antonio Palomino në një nga kishat më të vjetra në qytetin e Valencias në Spanjë. Ajo e kishte veçanërisht të vështirë të hiqte ngjitësin që ishte përdorur për të tërhequr afresket nga muret e kishës Santos Juanes gjatë punës restauruese në vitet 1960.
Bosch bëri doktoraturën mbi atë projekt. Dhe më shumë se një dekadë më vonë, vajza dhe nëna kanë bashkuar forcat në një projekt me vlerë 4 milionë euro, të financuar nga fondacionet lokale, për të përdorur disa nga teknikat e restaurimit në Valencia.
Mikrobiologia trajnon bakteret duke i ushqyer me mostra të ngjitësit të përbërë nga kolagjeni i kafshëve. Bakteret më pas prodhojnë natyrshëm enzima për të degraduar ngjitësin.
Ekipi i familjes më pas përzien bakteret me një xhel natyral me bazë algat dhe e shpërndan atë në pikturat, të cilat u morën nga muret në vitet 1960 e më pas u gozhduan përsëri, ende të mbuluara me ngjitës. Pas tre orësh, xheli hiqet, duke zbuluar piktura pa shtresën ngjitëse.
“Në të kaluarën, ne punonim në një mënyrë të tmerrshme manuale, me ujë të ngrohtë dhe sfungjerë që kërkonin orë të tëra dhe dëmtonin pikturën,” tha Roig, tani 75 vjeç, babai dhe gjyshi i së cilës punonin gjithashtu në konservimin e artit.
Vajza e saj mikrobiologe ka aplikuar gjithashtu përdorimin e baktereve në projektet e restaurimit në Pisa e Monte Cassino në Itali, si dhe në Santiago de Compostela në Spanjën veriore./Scan