Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht zëvendëspresidente e EPP Women, Albana Vokshi kërkoi nga Partitë Popullore Europiane (PPE) dhe institucionet europiane të mbështesin përpjekjet e opozitës dhe të qytetarëve për të rikthyer në Shqipëri, sipas saj, sundimin e ligjit, përmes respektimit të votës së lirë, drejtësisë së pavarur dhe zbatimit të Kushtetutës.
Në Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane, që mbajti Akademinë e Vjeshtës në Marakesh të Marokut, Vokshi theksoi se Shqipëria ka tre probleme kryesore: korrupsionin madhor të qeverisë, mungesën e shtetit ligjor dhe kontrollin politik të drejtësisë dhe largimin masiv të shqiptarëve.
“Në 10 vitet e fundit, janë larguar nga vendi mbi 1 milion shqiptarë, 75% e tyre në moshën më aktive, nën 40 vjeç dhe të formuar në profesionet e tyre, mjekë, infermierë, inxhinierë, IT. Ata nuk shohin një të ardhme, sepse vendi ka një problem madhor. Ka korrupsion në çdo qelizë të shtetit dhe qeveria është e lidhur me krimin e organizuar, i cili kontrollon ekonominë. Largimi i pjesës më aktive të shoqërisë, mungesa e llogaridhënies nga qeveria, e cila qendron në pushtet me votën e blerë nga krimi dhe korrupsioni, ka bërë që shoqëria të ulë rezistencën e saj ndaj keqqeverisjes”, tha Vokshi.
Sipas saj, në Shqipëri, një person i vetëm, kryeministri, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e tij dhe përdor Parlamentin, drejtësinë, mediet për të ruajtur pushtetin e tij personal.
Ajo komentoi edhe burgosjen e deputetit Salianji.
“Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të Brendshëm. Mesazhi për burgosjen e kolegut tonë është mesazh për të gjithë opozitën: të mbyllim gojën. Sot kemi tre të burgosur politikë me urdhër të Edi Ramës. Nesër mund të jem dhe unë dhe çdo koleg tjetër, nëse ne nuk reagojmë për të ndalur këtë regjim putinist”, u shpreh Vokshi./ata