Kryetari i PL, Ilir Meta, i cilësoi Skizofrenike, vjedhjet e kësaj qeverie dhe pasojat e saj, mbylljen e gojës që kërkon t’u bëjë medieve, qytetarëve dhe vetë opozitës. Meta solli në vëmendje skandalin e fundit, detyrimin e Shqipërisë për të paguar tashmë 110 milionë euro gjobë për shkak të mbylljes që i bëri kryeministri Edi Rama, televizionin Agon Channel.

 

“Sot doli lajmi, përfundimisht do të ekzekutohet gjoba ndaj Beketit, do të paguajnë shqiptarët 110 milionë euro!!! – tha Meta nga takimi në Koplik. -  Pse?! Për dhunën dhe shkeljet e ligjit që bën Edi Rama dhe Erion Veliaj ndaj medieve për t’u mbyllur gojën! Do të vijnë gjoba të tjera edhe më të rënda!Medieve duan t’u mbyllin gojën, gazetarëve po, qytetarëve po, opozitës po. Po pse? Që të vjedhin në mënyrë skizofrenike siç po ndodh dhe jemi dëshmitarë të gjithë këtij realiteti të hidhur. Ndaj në 14 maj rikthehet llogaridhënia kudo!”