Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim online me përfaqësuesit e diasporës dhe emigracionit shqiptar në Miçigan.

Në fjalën e tij Berisha u shpreh se, emigracioni dhe diaspora e Miçiganit kanë luajtur një rol thelbësor dhe në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Shumë herë e kam pyetur veten, si ka mundësi, pse diaspora shqiptare krahasuar me të tjerat, numerikisht më e vogël, krahasuar me pasuritë e të tjerave, më pak e pasur, por arrin të luajë një rol më të madh në historinë e vendit sesa diaspora e shumë e shumë vendeve të tjera. Se si ajo arrin të paraqitet dhe të dalë në ballë të përpjekjeve të kombit për lirinë dhe dinjitet kombëtar, përgjigjja është vetëm një, është atdhetaria, është shqiptarizmi, është patriotizmi i shqiptarëve në Miçigan dhe SHBA që i bën ata një nga diasporat më të fuqishme në çështjen shqiptare dhe çështjet e kombit të tyre”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se PD do të bëjë një betejë që Shqipërinë të kthehet përsëri në rrugën e shpresës dhe zhvillimit.

Në këtë kontekst, iu drejtua ai diasporës dhe emigrantëve në Miçiganit, “sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj, për ndihmën tuaj, për angazhimin tuaj”.

“Unë kam besim të plotë se kjo ndihmë, kjo mbështetje nuk do mungojë. Jemi përpjekur për vite që diaspora të votojë. Kjo është e drejtë kushtetuese e juaja. Mohimi i votës suaj ishte reminishencë e politikës hoxhiste ndaj diasporës dhe emigracionit”, tha më tej Berisha.

“Më në fund u arrit dhe këtë e konsideruam një zhvillim shumë të madh dhe kërkoj ndjesë para jush se u arrit me vonesë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD ftoi emigrantët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha./ata