Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato i dha sot një mesazh magjistratëve që të konsolidojnë arritjet e Reformës në Drejtësi.

Në fjalën e tij në një aktivitet të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës në kuadër të një projekti bashkëpunimi me shkollat më të mira të magjistratëve në Evropë, Gonzato theksoi se, rëndësia kryesore është që të mbahet fryma e reformës dhe të mos pengohet puna e saj.

“Të gjitha arritjet e Reformës në Drejtësi të konsolidohen më tej, jo vetëm në aspektin ndëshkues për luftën ndaj korrupsionit, por edhe luftën paralajmëruese”, tha Gonzato.

“Është e rëndësishme që mos të lëmë pas frymën e Reformës në Drejtësi duke marrë parasysh dhe element që mund ta përmirësojnë ose ta pengojnë zbatimin e saj dhe është e rëndësishme që ta mbrojmë. Keni të gjithë mbështetjen tonë”, u shpreh Gonzato.

Gonzato e mbylli mesazhin e tij duke përgëzuar vajzat magjistrate, ku sipas tij, shtimi i numrit të tyre në shkollë tregon avancim dhe arritje për Shqipërinë.

“Kur erdha në ceremoninë e diplomimit më bëri përshtypje dhe m’u bë qejfi që dominonin vajzat. Më bëhet qejfi që vajzat në drejtësi janë kyçi i arritjes së ndryshimeve që ka nevojë vendi”, përfundoi Gonzato./ata