Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mori pjesë sot në veprimtarinë “Roli i Parlamentit dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, Mbikëqyrja efektive e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Objektivi për Arritjen e Barazisë Gjinore.
Në këtë aktivitet, ku fokusi ishte barazia gjinore, morën pjesë edhe anëtarë të Kuvendit të Kosovës, mes tyre kryetarja e Këshillit Kombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Çështje Sociale në Kosovë, Fatmire Kollçaku, kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kosovë, Duda Balje, përfaqësuesi i zyrës së UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta, etj.
Spiropali, gjatë fjalës së saj u shpreh se, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës, janë të angazhuar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Barazinë Gjinore, si dy korsi të Agjendës 2030. Kryetarja Spriopali nënvizoi se barazia gjinore nuk është çështje e grave, por faktor drejt progresit, drejtësisë dhe paqes.
“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjenda 2030 lidhen gjithashtu me angazhimin e përbotshëm për të ndërtuar vizionin dhe krijuar premisat që në perspektivë afatgjatë të eliminojmë, ndërsa në perspektivë afatmesme të zbusim format e ndryshme të pabarazisë. Dy angazhimet e rëndësishme të Kuvendit të Shqipërisë drejt Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjendës 2030 janë realizuar në mënyrë të njëkohëshme dhe në sinergji me njëra-tjetrën, në dhjetor 2017”, tha Spiropali.
“Përmes Rezolutës “Për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të Agjendës 2030 të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, Kuvendi i Shqipërisë ka theksuar përkushtimin e Shqipërisë për të integruar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në politikat kombëtare dhe për të mbështetur zbatimin e tyre. Rezoluta nënvizon rolin e rëndësishëm të qeverisë, Kuvendit, institucioneve publike dhe përfshirjes së aktorëve të tjerë, përfshirë shoqërinë civile dhe sektorin privat në arritjen e këtyre objektivave”, u shpreh Spiropali.
“Përmes Rezolutës “Për dënimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjorë për parandalimin e saj”, Kuvendi i Shqipërisë u angazhua për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe për përmirësimin e mekanizmave ligjorë të parandalimit”, theksoi Spiropali./ata