Këtë të martë, deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë marrë pjesë në punimet e zhvilluara në Komisionin për Politikën e Jashtme. Po ashtu, në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Nismës së Evropës Qendrore, që u zhvillua në Tiranë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nuk ishte e pranishme, edhe pse në axhendë parashikohej fjala e saj.
Po ashtu, PD ka bojkotuar edhe Komisionin Hetimor për shërbimet publike të sterlizimit dhe Check-up në Shëndetësi.
Një ditë më parë, deputetët e PD-së jo vetëm që nuk morën pjesë në komisionet parlamentare, por gjatë seancës plenare të parashikuar pasditen e së hënës, dogjen karriget në oborrin e Kuvendit, jashtë sallës së seancave plenare, dhe gjithashtu nuk lejuan vijimin normal të punimeve në Kuvend, ku parashikohej të diskutoheshin problematikat e qytetarëve.
Deputetët e Partisë Demokratike vijojnë bojkotin parlamentar, në shenjë proteste për dënimin me burg të deputetit të PD-së, Ervin Salianji. Ligjvënësi demokrat u dënua me 1 vit burg për akuzën e “Kallëzimit të rremë”. Partia Demokratike e cilëson këtë si një dënim politik./ata