Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti sot gjeneralmajor Özkan Ulutaş, në përfundim të detyrës së tij si Komandant i KFOR-it.

Vengu vlerësoi se gjeneralmajori Ulutaş ka dhënë një kontribut shumë të madh për sigurinë e Kosovës.

Vengu e falënderoi gjeneralin për punën dhe përpjekjet stabilizuese që ka bërë në drejtimin e forcave ndërkombëtare të KFOR-it dhe i uroi suksese të mëtejshme në detyrën e re në Turqi.

“Gjatë takimit, diskutuam për mjedisin e sigurisë në rajon dhe rëndësinë e mbështetjes ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës, ku Policia ka treguar gjithë aftësinë për të përmbushur misionet si forcë e parë reaguese në terren”, u shpreh Vengu.

Në takim, ministri theksoi po ashtu nevojën për të mbështetur më konkretisht Forcën e Sigurisë së Kosovës, veçanërisht në funksion të fuqizimit të kapaciteteve dhe kapitalit njerëzor./ata