Ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Taulant Balla dënoi sot dhunën e opozitës në Kuvend, në shenjë revolte pas dënimit me burg të deputetit Ervin Salianji.
Balla, në një postim në rrjetet sociale u shpreh se sa herë Shqipëria gjendet para një momenti historik ku pritet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare pas pak ditësh në Bruksel, mes Shqipërisë dhe BE, përsëri Sali Berisha ka porositur dhunë.
“Marrëzia është të bësh të njëjtin veprim vazhdimisht e të presësh rezultate të ndryshme” thoshte Ajnshtajni. Edhe me dhunën e Saliut, rezultati ka qenë gjithmonë i njëjtë. Sa më të dhunshëm bëhen, aq më të vendosur jemi ne për të ecur përpara në rrugën tonë, pasi sot kjo është e vetmja rrugë që afron Shqipërinë me Europën”, u shpreh ai.
Balla theksoi se dhuna e opozitës përkthehet në vota për socialistët, pasi, sipas tij, askush nuk voton për partinë e dhunës dhe destabilitetit, as në Shqipëri e as në diasporë.
“Sa më shumë dhunë prej tyre, aq më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme për ne, sepse askush nuk voton për partinë e dhunës dhe destabilitetit, as në Shqipëri e as në diasporë. Shqipëria ka vuajtur shumë për të fituar të drejtën e fjalës së lirë dhe parlamentin e zgjedhur nga vota e lirë, dhe në respekt të tyre nuk mund të tolerohet dhuna dhe barbarizmi ndaj institucioneve demokratike”, u shpreh Balla.
Ai deklaroi se djegia e mandateve apo e karrigeve, ndëshkimin e ka marrë dhe do ta marrë nga populli shqiptar me votë pas pak muajsh, në pranverë./ata