Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi sot se pamja e shfaqur në seancën plenare të radhës, me bllokim foltoreje e djegie karrigesh, do të jetë ajo që do të shoqërojë çdo ditë Kuvendin, ndërsa u shpreh se qeveria teknike është zgjidhja që Shqipëria të ecë para dhe të bëjë zgjedhje të lira.
Në një prononcim për medien pas seancës së shkurtër plenare, Noka u shpreh se janë në Kuvend për të kryer misionin tonë të ngarkuar nga demokratët.
“Rama tentoi të na likuidojë si forcë politike, zgjedh të arrestojë liderin e demokratëve, kërcënon me burg liderin e Partisë së Lirisë dhe atë të Partisë Republikane, tani burgosi nënkryetarin e grupit parlamentar. Kërcënon me burg këdo që denoncon për interesin publik”, tha ai.
Noka u shpreh se opozita është e vendosur të mos ndalojë.
“Ne nuk stepemi. Ta harrojë Rama që mund të likuidojë opozitën. Opozita është në ballë të aksionit që kemi nisur. Do të jetë në ballë të aksionit qytetar të hënën. Shqiptarët nuk meritojnë një narkoregjim. Ata që janë në qeveri nuk janë të denjë të përfaqësojnë qytetarët. Ne do t’u dalim zot”, deklaroi Noka
Ai theksoi se nuk do të kishte kompromis.
“Nuk ka kompromis me mafien, me korrupsionin. Ne jemi në betejë, qeveria teknike është zgjidhja që Shqipëria të ecë përpara dhe të bëjë zgjedhje të lira”, u shpreh ai./ata