Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK), Çelo Hoxha prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit, raportin e veprimtarisë 1-vjeçare të ISKK për vitin 2023.

Hoxha tha se, “veprimtaria e ISKK gjatë vitit 2023 u përqendrua kryesisht në realizimin e një konference shkencore me fokus gjendjen e shqiptarëve gjatë periudhës së komunizmit (1944-1990) në gjithë hapësirën ballkanike”.

Sipas tij, studiues të ndryshëm, nga gjithë trevat shqiptare, trajtuan në këtë konferencë aspekte të rëndësishme të gjendjes së shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së represionit komunist, rolin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në krijimin e PKSH dhe instalimin e regjimit komunist në Shqipëri, natyrën dhe karakteristikat e regjimit komunist në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, me fokus Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe çështje mbi aspektet ekonomike, fetare dhe politiko-juridike të aplikuara gjatë periudhës së diktaturës dhe pasojat e tyre në shoqërinë bashkëkohore.

Gjatë vitit 2023, vijoi Hoxha, u përkujtuan ngjarje të rëndësishme të qëndresës antikomuniste gjatë regjimit komunist, siç ishte Revolta e të burgosurve politikë në kamp-burgun e Spaçit më 21 maj 1973.

“Kjo ngjarje u përkujtua me realizimin e tre veprimtarive të ndryshme: Një film dokumentar, një ekspozitë me dokumente dhe një simpozium. Ndërsa u ndërmor një studim mbi aspekte të jetës në kamp-burgun e Spaçit, si puna e detyruar, rezistenca e të burgosurve dhe përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë (arratisjet), Revolta, etj., dhe informimi i publikut për këto çështje”, tha Hoxha.

Drejtori i ISKK-së gjatë fjalës së tij vuri në dukje rëndësinë e informimit të publikut, e sidomos brezit të ri, për jetën e fëmijëve në internim dhe në burgje gjatë regjimit komunist, ku mungonin kushtet më minimale të jetesës dhe që binte në kundërshtim me propagandën e kohës dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, si dhe publikoi statistika mbi numrin e fëmijëve që jetuan në kampe dhe vende internimi dhe histori të jetuara.

Në vëmendje të punës së ISKK, theksoi Hoxha, ka qenë evidentimi i viktimave të regjimit komunist.

“Me botimin e vëllimit 12 dhe të fundit të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist në Shqipëri, mbyllet një kapitull 12 i rëndësishëm në evidentimin e viktimave të persekutimit komunist, dhe i hapet rrugë studimit të thelluar shumëdimesional, duke shfrytëzuar të dhënat e Fjalorit”, tha ai.

Hoxha evidentoi një sërë veprimtarish të tjera të ndërmarra nga ISKK-ja, për të sjellë në kohën e sotme, realitetin e periudhës së regjimit komunist.

Sipas tij, janë mbledhur dhe përgatitur për botim ligje represive të regjimit komunist, si dëshmi e dhunës së strukturuar shtetërore ndaj qytetarëve. Është prezantuar puna e ISKK para një audience evropiane, duke bashkëpunuar me Platformën Evropiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjes, përmes realizimit të projekteve të përbashkëta – ekspozita dhe forume – me partnerët ndërkombëtarë.

“Gjithashtu ISKK-ja ka përgatitur studimin e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në fillimet e tij, kur kjo strukturë e paligjshme quhej Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, 1944-1946. Mbledhjen e dëshmive të ish-të dënuarve për arsye politike, botimin e tyre dhe informimin e publikut për jetën në burgje, internim, dëbim dhe forma të tjera persekutimi. Dokumentimin e veprimtarisë financiare të PPSH, e cila përdori masivisht fondet e buxhetit të shtetit, ndërkohë që ligjërisht nuk kualifikohej për përdorimin e fondeve publike, sepse nuk ekzistonte e regjistruar si organizatë politike në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 370, 6 dhjetor 1946, “Mbi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturale, shkencore, profesionale etj., dhe mbi mbledhjet publike”. Dokumentimin e dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, në periudhën 1947-1949 dhe informimin e publikut për veprimtarinë e kësaj strukture të armatosur të paligjshme, në vijim të vëllimit I, i cili është botuar tashmë dhe mbulon periudhën 1944-1946”, tha Hoxha.

Në fokus të punës tonë, vijoi ai, ka qenë botimi i artikujve studimorë në lidhje me çështje të artitekturës në komunizëm, por dhe me tema të tjera, kryesisht të fushës së drejtësisë. Dokumentimi i procesit të krijimit të kushtetutës totalitare më 1976, duke mbledhur gjithë materialet e ekspertëve të cilat mund të themi se përbënin mendimin kushtetues të kohës. Rritjen e aksesit publik mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, përmes publikimit online të botimeve të ISKK dhe publikimit të aktiviteteve, në faqen zyrtare, në rrjetet sociale dhe media.

Gjithashtu, tha Hoxha, prioritet është rritja e aksesit publik përmes promovimit të veprave të ISKK dhe shpërndarjes së tyre falas në të gjitha bibliotekat e vendit, zgjerimi i bashkëpunimit me institucione të tjera homologe jashtë vendit përmes aktivitetesh të përbashkëta: forume, konferenca shkencore, etj. Ndërkombëtarizimi i historisë së komunizmit në Shqipëri, përmes botimeve jashtë shtetit, ligjërimit në konferenca ndërkombëtare dhe zgjerimit të rrjetit të aktiviteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe pasurimi i database-s me të dhëna statistikore dhe cilësore të viktimave të komunizmit në Shqipëri, në të gjitha kategoritë: ekzekutim, burgim, internim, dëbim.

Hoxha prezantoi në raport gjithashtu dhe projektet e realizuara gjatë vitit të kaluar, si botime, konferenca, takime dhe promovime të ndryshme, biseda në shkolla dhe universitete etj./ata