Ilir Proda do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha bëri të ditur se kandidatura e dërguar prej tij në Qeveri, përzgjedhur përmes një procesi transparent konkurrimi, është miratuar në Këshillin e Ministrave.
Në një deklaratë, pas mbledhjes së qeverisë, Hoxha tha se në konkurrim ishin 10 drejtues të lartë.
“Proda ka kaluar të gjitha verifikimet e pastërtisë së figurës”, deklaroi Hoxha.
Më tej, ministri informoi se menjëherë do të hapet konkursi edhe për të gjithë drejtuesit e Policisë në qarqe.
Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Ilir Proda mbante prej marsit të vitit të kaluar postin e drejtorit të Policisë Elbasan.
Proda e ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005, fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3.
Më pas, për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme.
Në 2013 ai emërohet shef komisariati, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës.
Në korrik të vitit 2019, pasi merr gradën kryekomisar, ai emërohet zv/drejtor për hetimin e krimeve në Korçë.
Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit.
Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan.
Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë./ata