Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme, pasi Irani lëshoi një breshëri raketash drejt Izraelit.

“Irani po rrezikon t’i vërë flakën gjithë rajonit. Kjo duhet të parandalohet me çdo kusht”, citohet të ketë thënë lideri gjerman.

Scholz vuri në dukje se ishte vetëm falë mbrojtjes ajrore të Izraelit dhe aleatëve që sulmi iranian të martën në mbrëmje ishte zmbrapsur.

Scholz i bëri thirrje milicisë së Hezbollahut, të mbështetur nga Irani në Liban, dhe Teheranit që të ndërpresnin menjëherë sulmet e tyre ndaj Izraelit.

“Qeveria gjermane do të vazhdojë të punojë së bashku me partnerët e saj për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut”, tha Scholz.

“Ndalimi i luftimeve duhet të jetë hapi i parë në zbatimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcakton se Hezbollahu duhet të tërhiqet nga zona kufitare me Izraelin. Kjo do të hapte rrugën për kthimin e njerëzve në Izraelin verior dhe në të njëjtën kohë do të hapte perspektivën e konsolidimit të shtetësisë së Libanit”, theksoi ai./ata