“Shqipëria dënon me vendosmëri sulmin frikacak në rezidencën e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Khartoum”, u shpreh sot kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në platformën X.
Rama theksoi se, kjo shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe çdo norme diplomatike nuk duhet të mbetet e pakundërshtuar.
“Shqipëria qëndron në krah të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke bërë thirrje për respektim të plotë të Konventës së Vjenës dhe mbrojtje të plotë diplomatike”, nënvizoi Rama.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’i japin përparësi paqes dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar”, theksoi më tej kreu i qeverisë.
Disa ditë më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se rezidenca e ambasadorit të tyre në Khartoum u sulmua nga një avion ushtarak sudanez duke e dënuar si sulm të urryer.
Qeveria ushtarake e Sudanit hodhi poshtë akuzat nga Emiratet e Bashkuara Arabe se forcat e saj kanë bombarduar rezidencën e ambasadorit në Khartoum, duke akuzuar për sulmin forcat rivale paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF)./ata