Gjykata Kushtetuese ka refuzuar sot ftesën e komisionit të posaçëm Antikorrupsion për t’u përfaqësuar me ekspertë dhe profesionistë në këtë komision.
Në shkresën zyrtare të firmosur nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thuhet se, “për shkak të funksionit të saj Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë pjesë në aktivitetet që lidhen me procese ligjbërëse”.
“Për shkak të funksionit tonë, nuk mund të marrim pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj, në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Zaçajt.
Më herët, kreu i komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, Fatmir Xhafaj i drejtoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, ku kërkonte caktimin e përfaqësuesve/ekspertë dhe profesionistë nga Gjykata Kushtetuese në komisionin e posaçëm parlamentar./ata