Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar gjatë ditës së djeshme në SPAK, 73 deputetë të Partisë Socialiste.

Konkretisht në kallëzimin e dorëzuar në SPAK, Partia Demokratike akuzon deputetët se kanë konsumuar në bashkëpunim, veprat penale të “pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”, parashikuar në nenet 320 dhe 320/a të Kodit Penal.

“Pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kuvendit për mosdërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutese, grupi parlamentar i PD-së, thekson se ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Grupi parlamentar i PD ka kërkuar nga SPAK-u që të regjistrojë procedimin penal për kryerjen e këtyre veprave penale, kryer në bashkëpunim, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në administrimin e praktikës së plotë shkresore që provon kryerjen e veprave penale./ata