Konferenca e Kryetarëve miratoi në mbledhjen e sotme udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, një dokument politik thelbësor për procesin e integrimit europian.
Ky udhërrëfyes, një nga parakushtet kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, u miratua pa prezencën e opozitës.
Përmes një njoftimi për shtyp, grupi parlamentar i Partisë Socialiste konfirmoi se mbetet plotësisht i angazhuar për të mbështetur dhe avancuar këtë objektiv strategjik të Shqipërisë, duke forcuar angazhimin ndaj proceseve demokratike dhe integrimit europian.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi në një reagim në rrjetet sociale, u shpreh se “udhërrëfyesi i miratuar sot për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, përfaqëson një hap të madh përpara në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Peleshi shprehet se, “ky proces i rëndësishëm, fatkeqësisht, u krye pa prezencën e opozitës. Integrimi europian duhet të jetë përtej politikës së ditës dhe një vlerë përbashkuese për të gjitha forcat politike që aspirojnë të mirën e përbashkët dhe të ardhmen tonë europiane. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i angazhuar maksimalisht për këtë objektiv strategjik”./ata