Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka deklaruar se nuk e ka takuar ish-zyrtarin e lartë të FBI, McGonigal, i cili është në hetim nga drejtësia amerikane edhe për lidhjet me Shqipërinë.

 

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Çuçi foli ndër të tjera edhe për marrëdhëniet e policisë shqiptare me zyrtarë të FBI.  Ministri theksoi se raportet janë më institucionin dhe jo me individë të përveçëm.

 

Sa i takon hyrje daljeve të McGonigal në Shqipëri, ministri tha se të dhënat janë në sistem dhe për këtë sipas tij nuk ka asnjë sekret.

 

Pyetje: A ka pasur policia shqiptare asistencë nga zyrtarë të FBI, përfshirë McGonigal?

 

Çuçi: Policia ka marrëdhënie me institucionin, me FBI dhe jo persona të caktuar, policia është e asistuar në bazë të një marrëveshje që kemi. Hera e fundit konkrete ka qenë në rastin e sulmit kibernetik, që ne kem pasur ndihmën e FBI. Ka qenë ekspertiza e tyre që kanë identifikuar origjinën e sulmeve kibernetike. Ne marrëdhëniet i kemi me inicionin, emrat e përveçëm i vendos FBI. Nëse doni ta dini, unë personalisht nuk e kam takuar.

 

Pyetje: A ka informacione për hyrje daljet e McGonigal?

 

Çuçi: Ato duhet të jenë në sistem, nuk ka ndonjë sekret.