Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur turin e takimeve me fermerët dhe subjektet që operojnë në sektorin rural, për t’i informuar mbi Skemën Kombëtare të Investime në Bujqësi 2024.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se, “sot në Lezhë ka nisur dita e parë e takimit informues për fermerët, mbi skemën e re të investimeve në bujqësi”.

Kuçi, bëri të ditur se, AZHBR në bashkëpunim me stafin teknik nga institucionet e linjës ka programuar takime informuese për fermerët në 12 qarqet e vendit, që do të zhvillohen gjatë gjithë muajit tetor.

“Ne parashikojmë të organizojmë më shumë se 12 takime. Fokusi ynë është tek informimi dhe orientimi i të gjithë aplikuesve, për të përmbushur në kohë të gjitha kërkesat e detyrueshme që të mund të përfitojnë nga kjo mbështetje financiare që është risi për sektorin e bujqësisë”, u shpreh Kuçi.

Ajo u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për të përfituar financim 50 % grant të vlerës së investimit në 5 masa.

Konkretisht, për ndërtimin e serrave diellore të reja me sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 2 ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes, masa e përfitimit të jetë në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 milionë lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve; jo më shumë 8 milionë lekë/ha për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë dhe jo më shumë se 4 katër milionë lekë/ha për serrat (tunelet plastike) të prodhimit të luleshtrydheve.

Për masën rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, përfitimi do të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1.5 milionë lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 hektar dhe jo më shumë se 5 hektarë.

Gjithashtu mbështeten fermerë për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imta, jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 mijë shpendë. Masa e përfitimit do të jetë në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 milionë lekë për subjekt.

Për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit të jetë në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 milionë lekë për subjekt.

Mbështetja për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut do të jetë në masën 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt.

Për të përfituar nga masat mbështetëse aplikantët nuk duhet të jenë debitorë ndaj AZHBR, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Duhet të kenë shlyer sigurimet shoqërore në rastin e fermerëve individualë; të ketë tokën në pronësi dhe/ose me qira/huapërdorje për të paktën 5 vjet dhe të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës.

Aplikimet bëhen fizikisht pranë zyrave të AZHBR dhe kanë nisur në datën 30 shtator e do të vijojnë deri më 8 nëntor, deklaroi Kuçi.

Skema e Investimeve në Bujqësi vë në dispozicion të fermerëve dhe grupimeve të fermerëve 500 milionë lekë për vitin e parë, ndërsa skema parashikon shtrirje 2-vjeçare, me buxhet 1.5 miliardë lekë./ata