“Barometri i Ballkanit 2024” ka kryer një anketim për të matur frekuencën e udhëtimeve brenda Ballkanit Perëndimor. Qytetarët e vendeve të rajonit janë pyetur se sa shpesh kanë udhëtuar gjatë 12 muajve të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara, rezulton se 57% e të anketuarve nga Shqipëria kanë udhëtuar vetëm një herë drejt ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor gjatë 12 muajve të fundit. Ndërkohë, 31% e individëve kanë udhëtuar 2-3 herë, dhe 11% e tyre kanë bërë 4-10 udhëtime gjithsej. Kjo tregon se shqiptarët janë të angazhuar për të vizituar jo vetëm Europën por edhe rajonin, ku shumica e tyre kanë bërë të paktën një udhëtim drejt këtij destinacioni.
“Scan Intel” ka analizuar frekuencën e udhëtimeve edhe për vendet e tjera të rajonit. Në nivel rajonal, konstatojmë se 48% e të anketuarve nga Bosnje Hercegovina kanë udhëtuar vetëm një herë, 42% e tyre kanë bërë 2-3 udhëtime dhe vetëm 8% kanë raportuar se kanë bërë 4-10 udhëtime drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, shtetasit nga Kosova dhe Mali i Zi renditen me përqindjen më të lartë të atyre që kanë bërë 4-10 udhëtime gjatë vitit të fundit.
Po ashtu, Kosova është ndër ekonomitë me më shumë udhëtarë të rregullt brenda rajonit. Ndërsa, shtetasit nga Maqedonia e Veriut paraqesin një trend ndryshe të udhëtimeve, ku shumica e të anketuarve u shprehën se kanë udhëtuar drejt vendeve të tjera të ballkanit 2-3 herë gjatë vitit.
Serbia paraqet një model tjetër të dëshirës për të udhëtuar, ku 68% e të anketuarve raportojnë se kanë udhëtuar vetëm një herë, që është numri më i lartë ndër të gjitha ekonomitë, 27% e tyre kanë bërë 2-3 udhëtime, dhe vetëm 3% kanë bërë 4-10 udhëtime./Scan