Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti ka pasur një mbrëmje të lumtur përgjysmë me Atalantën në ndeshjen ndaj Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampioneve.
Mbrojtësi festoi golin e parë në karrierë në Ligën e Kampioneve në fitoren 3-0 të italianëve përballë ukrainasve, por ndeshja e tij zgjati vetëm 45 minuta, pasi pësoi një dëmtim në ije që e detyroi të linte fushën e lojës në fund të pjesës së parë.
Trajneri bergamask Gian Piero Gasperini pas kësaj fitoreje me vlerë 3 pikësh u shpreh se, “Gjimshiti ka një problem të cilin do ta vlerësojmë. Kalendari i ngjeshur mund të bëjë që lojtarët të humbasin disa ndeshje edhe përmes një dëmtimi të lehtë”.
Ky dëmtim prish edhe planet e trajnerit të Kombëtares shqiptare Sylvinho.
Kapiteni kuqezi rrezikon të mungojë në dy ndeshjet e tetorit, ndaj Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë.
Kjo ishte hera e parë që Gjimshiti arriti të shënonte në Ligën e Kampionëve dhe kjo erdhi në paraqitjen e tij të 21-të.
45-minutëshi i tij në fushë u vlerësua me notën 7.5, duke kompletuar 34 nga 36 pasime. Gjimshiti shkëlqeu edhe në duelet fizike, duke fituar 6 nga 10 përballjet me kundërshtarët./ata