Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u takua sot në Tiranë me ministrin e Drejtësisë së Italisë, Carlo Nordio, në kuadrin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve.
Ky takim pasqyroi angazhimin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fusha kyçe të drejtësisë, duke shprehur vullnetin e përbashkët politik dhe duke forcuar marrëdhëniet historike mes vendeve tona, për të adresuar sfidat e përbashkëta të sundimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
Gjatë takimit, u vendos që t’i jepet përparësi ndihmës juridike të ndërsjellë në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe terrorizmit ndërkombëtar, në luftën kundër pastrimit të kapitaleve të paligjshme dhe trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe drogës.
Ministri Nordio konfirmoi mbështetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kontribuar në përmirësimin e standardeve të drejtësisë dhe garantimin e sundimit të ligjit në vend.
Palët ranë dakord për mundësinë e përditësimit dhe integrimit të Memorandumit dypalësh të Mirëkuptimit të vitit 2017, si dhe për nisjen e negociatave në lidhje me formalizimin e parimit procedural “Ne bis in idem” në bashkëpunimin e ndërsjellë.
Gjithashtu u ra dakord për një instrument të ri për njohjen reciproke të masave kufizuese të lirive personale, i ngjashëm me urdhërarrestin evropian, i cili mund të zëvendësojë procedurën tradicionale të ekstradimit, në përputhje me Kapitullin 24 të procesit të integrimit evropian.
Ky ishte takimi i dytë në nivel ministror mes ministrit Manja dhe ministrit Nordio, pas vizitës së ministrit Manja në Romë në nëntor të vitit 2023, dhe dëshmon angazhimin e dyanshëm për të avancuar bashkëpunimin dhe për të përballuar sfidat e përbashkëta në fushën e drejtësisë./ata