Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë për shpalljen e projektit fitues të stadiumit të ri në Durrës, se Akademia e Manchester City në Durrës dhe Shkolla e Futbollit hap një perspektivë të re dhe se do t’i shërbejë të gjitha klubeve në Shqipëri.
“Akademia e Manchester City, në Durrës dhe Shkolla e Futbollit synojnë kthimin e Durrësit në një destinacion të talenteve në shkallë kombëtare dhe rajonale. Kemi marrë ekskluzivitetin që të jemi një qendër për të gjithë rajonin, për vendet e Ballkanit e më gjerë. Dhe nëse do të bëhet një akademi e dytë në Ballkan, bashkia e Durrësit do të jetë partnere. Kjo hap edhe një perspektivë tjetër. Hapi paralel është që ne të ngremë grupin tonë Durrës City. Do të jetë një bërthamë që do të zhvillohet në të ardhmen dhe si një skuadër më vete”, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se Akademia dhe Shkolla e Futbollit i shërbejnë të gjitha klubeve në Shqipëri.
“Nuk është ekskluzive për talente dhe lojtarë të vegjël apo të rinj, që duke u futur aty, i përkasin detyrimisht Manchester City. Akademia është në shërbim të të gjitha klubeve që bazuar në seleksionimin që bëhet nga përgjegjësit e Akademisë çojnë sportistët e tyre dhe ata kthehen në klube me edukimin dhe zhvillimin e talentit që kanë përfituar nga Akademia. Nëse ka talente që i përkasin klubeve të tjera dhe Manchester City është i interesuar për ta, zhvillon bisedime drejtpërdrejt me ta”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se numri i të rinjve që janë të regjistruar në sistemin e futbollit në Shqipëri, në atë sistem, që siç theksoi Rama, ka ende nevojë të formësohet dhe atyre që janë të regjistruar në sistemin e futbollit europian është marramendës.
“Janë mbi 100 mijë të rinj shqiptarë të regjistruar në sistemet futbollistike europiane. Ne besojmë se talenti në Shqipëri, dhe në të gjithë familjen tonë kombëtare, i cili duhet mbështetur e zhvilluar përbën bazën fantastike, jo vetëm për futbollin, por siç e mësuam nga finalja e “Conferenca League” për Shqipërinë, imazhin, ekonominë e turizmin”, deklaroi Kryeministri.
Kreu i qeverisë informoi se në bashkëpunim me Federatën e Futbollit do të ngrihen fusha e futbolli në çdo njësi administrative.