Situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe projektet që Shqipëria ka në fushën e mbrojtjes, ishin dy temat kryesore të bisedimeve në takimet e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu me ambasadorët e Spanjës dhe Gjermanisë në Tiranë.

Në bisedën me ambasadorin spanjoll, Álvaro Renedo Zalba, ministri Vengu ftoi kompanitë spanjolle të industrisë së mbrojtjes për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit, me qëllim rinovimin e sektorit ushtarak.

Në lidhje me dinamikën e situatës së sigurisë në rajon, si dhe rrugën euroatlantike për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Vengu theksoi se Shqipëria vlerëson rolin dhe mirëpret qasjen konstruktive të Spanjës për zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme.

Ndërsa në takimin me ambasadorin e Gjermanisë, Karl Bergner, ministri Vengu diskutoi për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe investimet në industrinë ushtarake, në kuadër të rigjallërimit të kësaj industrie.

“Theksova rëndësinë e infrastrukturës, veçanërisht lidhur me Korridorin VIII dhe portin e Porto Palermos”, u shpreh ai.

Nga ana e tyre, ambasadorët e vlerësuan si tejet të rëndësishëm kontributin politik dhe ushtarak të Shqipërisë në angazhimet e NATO-s dhe BE-së./ata