Më 4 tetor 1921, u themelua Kryqi i Kuq Shqiptar.

Vetëm pak e dinë se kryetari i saj ka qenë Ahmet Zogu, i cili pas pak vitesh do të bëhej mbret. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zotëron në fondin e saj edhe dokumentin ku paraqitet thirrja e Zogut si kryetar, drejtuar shqiptarëve, të cilët i fton të japin kontribut në dobi të shoqatës.

Kryqi i Kuq Shqiptar përbën shoqatën më të vjetër humanitare në vend, të njohur zyrtarisht prej Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në vitin 1923. Pas luftës, Kryqit të Kuq Shqiptar varej tërësisht nga institucionet shtetërore, të cilat me një vendim të vitit 1969, pezulluan veprimtarinë e kësaj shoqate për më shumë se 20 vjet.

Në fillim të viteve ‘90, Kryqi i Kuq Shqiptar rifillon aktivitetin e tij duke krijuar një bazë të plotë ligjore, si dhe një strukturë organizative. Kjo shoqatë u njoh nga Kuvendi i Shqipërisë, si “një organizatë e pavarur humanitare vullnetare” në bazë të ligjit nr. 7864 më 29 shtator 1994.

Në dekadat e fundit kanë qenë 3 momente në të cilat Kryqi i Kuq Shqiptar pati një rol të domosdoshëm: në përmbytjet e vitit 1996, në trazirat që përfshinë vendin pas rënies së firmave piramidale në 1997 si dhe gjatë luftës së Kosovës që u shoqërua me krizën e refugjatëve në kërkim të një strehe në Shqipëri./ata