Kuvendi ka shpallur hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim vjen pas dorëheqjes së gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska më datë 23 shtator.
Në njoftimin e shpalljes së vakancës thuhet se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, pasi u njoh me vendimin nr. 62, datë 23.09.2024, të Gjykatës Kushtetuese, për mbarimin përpara afatit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “c” dhe pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 7, pika 1, 7/c dhe 8, pika 3, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028, referuar Vendimit të Kuvendit nr. 133/2019 “ Për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska, anëtare të Gjykatës Kushtetuese.”
Në vendim saktësohet se, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte: të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër duhet të plotësojë edhe këto kritere: të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike; të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës; të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të: vjetërsisë në profesion; përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë; kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës; treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike; ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës; informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin si: Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant; Jetëshkrimin me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail); Fotokopje të kartës së identitetit./ata