Ne jemi gati të monitorojmë me transparencë dhe pavarësi absolute qendrat për emigrantët që Italia po përgatit të hapë në Shqipëri, tha sot komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.
Grandi – i cili mbërriti sot në Mirabella Eclano (Avellino) – pritet të marrë pjesë në seancën përfundimtare të takimit të ministrave të Brendshëm të G7.
“Nga shumë anë janë ngritur kritika për rrezikun e shkeljes së të drejtave për azilkërkuesit e ndaluar në një vend të tretë”, tha ai.
“Besoj se qeveria na kërkoi ta kryejmë këtë funksion monitorimi pikërisht për këtë arsye”, shtoi Grandi.
“Për më tepër, dua të theksoj se ky është një funksion i parashikuar nga Konventa për Refugjatët në nenin 35 – që parashikon rolin mbikëqyrës të komisionerit të lartë për Refugjatët në zbatimin e vetë Konventës”, tha ai.
“Dhe Italia, e cila e ka nënshkruar atë, duhet t’u përmbahet rregullave të saj”, tha komisioneri i Lartë i OKB-së.
“Qeveria na kërkoi të verifikonim nëse ky operacion shqiptar është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha Grandi.
“Do të mund të them nëse do të jetë në përputhje apo jo kur të bëhet operacioni – dhe ne do ta kryejmë këtë rol, me fondet e Komisionit të Lartë, në pavarësi dhe transparencë absolute”, theksoi ai.
“Këtë ia kemi thënë edhe qeverisë. Aktualisht po diskutojmë se si ta kryejmë këtë rol monitorues”, perfundoi Grandi./ata