Komisioni Rregullator miratoi sot projektvendimin “Për miratimin e listës së dokumentacionit që kërkohet për të vërtetuar qëndrimin e zgjedhësit shqiptar që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim regjistrimin në listën e zgjedhësve jashtë vendit”.

Sipas këtij vendimi, gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në platformën elektronike të regjistrimit të paktën një nga dokumentet e listuara që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:

1. Certifikatë pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;

2. Dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj i lëshuar nga autoritetet përkatëse;

  1. Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
  2. Dokumente bankare (kontratë kredie/vërtetim bankar etj.) që përmban adresën e banimit;

5. Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;

6. Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë gaz ose elektrike në banesë;

7. Kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;

8. Kontratë ose faturë të shërbimit të internetit të telefonisë fikse në banesë;

9. Dokument i lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësve në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni apo tjetër të ngjashëm;

10. Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës që provon pronësinë e banesës;

11. Leje drejtimi automjeti (patentë) në rastet kur shënohet adresa e banimit;

12. Ose çdo dokument tjetër të lëshuar në shtetin e huaj që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e deklaruar jashtë vendit.

Sipas kryetares së Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano, e cila propozoi pikën e fundit të këtij projektvendimi, “kjo i hap rrugën edhe dokumenteve të tjerë që mund të përdoren, por e rëndësishme është të përputhen me adresën e vetëdeklaruar”.

Po ashtu, Komisioni Rregullator miratoi edhe kufizimin e numrit të shtetasve që kanë të drejtë të aplikojnë vetëm nga një adresë.

Konkretisht, numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në të njëjtën adresë që aplikojnë në platformën elektronike të regjistrimit nuk mund të jetë më shumë se 6 persona. Përjashtim nga ky rregull do të bëhet vetëm për arsye të përligjura dhe pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor (PER) do të lejojë regjistrimin e më shumë shtetasve shqiptarë.

Nga ana tjetër, PD propozoi që në projektvendim të shtohet edhe një pikë tjetër që garanton monitorimin e këtyre dokumentacioneve. Konkretisht PD propozoi që “ky proces të mbikëqyret dhe monitorohet nga auditët teknicienë të propozuar nga partitë politike, të akredituar në KQZ e të mbikëqyrur nga Nënkomisioneri dhe Komisioneri Shtetëror për zgjedhjet”. Raportimi i tyre, sipas PD-së, duhet të jetë ditor./ata