Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Denis Derralla në një intervistë për mediat, tha se ndryshimet e kryera nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, kanë në fokus menaxhimin e rrezikut të kredisë nga këto institucione në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit.
Derralla tha se, “ndryshimet janë pjesë e paketës që sjell një përmirësim të situatës për konsumatorin lidhur me kreditimin”.
Sipas tij, futja në një rregullore e disa kërkesave detyron institucionet financiare jobanka që të miratojnë kreditë mbi bazën e një analize financiare dhe jo thjeshtë nëpërmjet një dokumentacioni të paraqitur prej individit.
“Rregulloja përcakton formën me të cilën duhet bërë analiza financiare, përcakton treguesin që institucioni financiar jobankë duhet të ketë parasysh në momentin e miratimit të kredisë dhe nuk i jep mundësi institucionit që të japë kredi atyre që nuk e kanë mundësinë paguese”, tha ai.
Derralla theksoi se, ndryshimet parashikojnë përgatitjen e një “liste të zezë” për të gjithë ata individë që nuk kanë mundësi të marrin kredi dhe kjo “black listë”, shërben për t’u informuar për të gjithë ata që janë të përjashtuar nga kreditimi nga të gjitha institucionet financiare dhe banka.
“Risi është fakti që një konsumator nuk mund të ketë dy kredi konsumatore. Përmes rregullave të reja përmirësojmë kushtet e kreditimit për konsumatorit dhe i japim mundësi institucioneve të mbështesin me kredi, ata që nuk mbështeten nga bankat”, theksoi Derralla./ata