Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë të gjithë vendin tonë këtë të premte.

Në disa qytete ka pasur përmbytje të rrugëve duke shkaktuar trafik të rënduar. Ndërsa më problematike situata paraqitet në qytetin e Vlorës ku, uji ka vërshuar nëpër rrugë duke krijuar mjaft probleme.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha në një prononcim për mediet bëri të ditur se, janë evakuar 22 familje, ndërsa 3 personave u është dhënë ndihmë pasi kishin mbetur të bllokuar.

“Jemi në koordinim të plotë me institucionet e qendrore, me Ministrinë e Mbrojtjes, me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, pasi realisht është diçka përtej angazhimit tonë si Bashki. Këto prurje shiu është e pamundur të menaxhohen në kohë. Kemi evakuar 22 familje deri më tani. Do të vendosim në dispozicionin konviktet tek ish-shkolla mjekësore. Të gjithë të evakuarit do t’i dërgojmë atje. Për çdo problematikë kontaktoni numrat e emergjencës”, tha Dredha.

Gjatë orëve të mbrëmjes,Kryebashkiaku Dredha njoftoi përmes rrjeteve sociale se ka mbledhur dhe shtabin e emergjencave të Vlorës. “Me Shtabin e Emergjencave, të angazhuar maksimalisht për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në këtë situatë kritike për qytetin”, thekson Dredha. Po ashtu, ai ka publikuar dhe numrat e emergjencës.

Numrat dhe kontaktet për çdo problematikë:
Emergjenca 128
Policia bashkiake: 033 404 404
Policia e shtetit 129
Ambulanca:127
FACEBOOK: Ujësjellës Kanalizime Vlore
INSTAGRAM: uk_rajoni_vlore
INSTAGRAM: uk_rajoni_vlore

/ata