Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se më shumë se 6 për qind e popullsisë së përgjithshme të Rripit të Gazës është vrarë ose plagosur derisa fushata shkatërruese ushtarake e Izraelit në enklavën palestineze po i afrohet një viti.
Popullsia e Rripit të Gazës së bllokuar para luftës ishte rreth 2.3 milionë banorë.
“Kanë kaluar 12 muaj dhe armiqësitë në Gaza vazhdojnë të tërbohen. Më shumë se 6 për qind e popullsisë është vrarë ose është plagosur, ndërsa të paktën 10 mijë njerëz mbeten të bllokuar nën rrënoja”, tha Ayadil Saparbekov, drejtuesi i ekipit të OBSH-së për emergjencat shëndetësore në territorin e pushtuar palestinez.
Në një konferencë për media në Gjenevë, Saparbekov tha se sistemi i kujdesit shëndetësor ka “vuajtur jashtëzakonisht” nga sulmet e përsëritura dhe nga mungesa e vazhdueshme e furnizimeve, ilaçeve, karburantit dhe stafit. Ai shtoi se që nga 7 tetori i vitit të kaluar ka pasur të paktën 516 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Gaza, duke rezultuar në 765 vdekje.
Ai tha se vetëm gjysma e spitaleve të Gazës janë pjesërisht funksionale, ndërsa vetëm 43 për qind e qendrave të kujdesit shëndetësor parësor janë funksionale.
"Spitalet që punojnë ofrojnë një kapacitet të vlerësuar prej 1.500 shtretërish, të plotësuar nga mbi 650 shtretër në 10 spitale në terren operativ", tha ai, duke theksuar se shifra "është shumë larg nevojës".
Duke cituar të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, Saparbekov tha se rreth 1 mijë punonjës shëndetësorë janë vrarë deri më tani, një humbje që siç tha ai është e “pazëvendësueshme” dhe është një “goditje masive për sistemin shëndetësor".
Ai tha se të paktën 24.090 njerëz janë duke vuajtur nga lëndime që ndryshojnë jetën, pa qasje në rehabilitim apo kujdes të specializuar.
Për shëndetin mendor, ai shprehu shqetësimin për ndikimin e konfliktit në Gaza, ku më shumë se 485 mijë njerëz janë diagnostikuar tashmë me çrregullime mendore para luftës.
"Kequshqyerja është një tjetër shqetësim i madh”, theksoi ai, duke shtuar se që nga janari rreth 20.040 fëmijë u pranuan për trajtim të kequshqyerjes, përfshirë 4.437 për kequshqyerje të rëndë akute.
Më tej, ai njoftoi se më shumë se 96 për qind e grave dhe e fëmijëve të moshës 6-23 muajsh nuk po plotësojnë nevojat e tyre ushqimore për shkak të mungesës së diversitetit të dietës.
Sa i përket evakuimeve mjekësore, ai tha se nga 15.600 raste të kërkuara janë miratuar vetëm 5.138 apo 32,9 për qind e rasteve.
"Ne bëjmë thirrje urgjentisht për krijimin e korridoreve të shumta të evakuimit mjekësor për të siguruar kalimin e sigurt, të organizuar dhe në kohë të pacientëve përmes të gjitha rrugëve të disponueshme", tha zyrtari i OBSH-së, duke theksuar se që nga mbyllja e vendkalimit Rafah në muajin maj vetëm 219 pacientë janë evakuuar.
Ai përmendi edhe angazhimin e OBSH-së për të vepruar në Rripin e Gazës mes "sfidave ekstreme" dhe njoftoi se nga 214 misionet e planifikuara që nga tetori i vitit 2023, vetëm 44 për qind janë lehtësuar.
"Ne kemi dorëzuar karburant, ilaçe dhe furnizime, kemi ndihmuar në restaurimin e spitaleve dhe kemi vendosur ekipe mjekësore emergjente për të mbështetur sistemin shëndetësor të Gazës. Së bashku me partnerët kemi vaksinuar edhe 560 mijë fëmijë në raundin e parë të fushatës së poliomielitit”, tha Saparbekov.
Më 7 tetor të vitit 2023, Izraeli nisi një ofensivë ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit. Që nga ajo kohë, pothuajse një vit më vonë, forcat izraelite kanë vrarë rreth 41.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe kanë plagosur afro 97 mijë të tjerë.
Sulmet izraelite kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Për veprimet e tij ndaj Rripit të Gazës, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./aa