Ndërtimi i rrugës Çajup-Topovë në bashkinë e Libohovës do të nxjerrë në pah potencialet e mëdha të zhvillimit dhe mundësitë për investime në të gjithë zonën e Zagorisë.

Kështu u shpreh sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndërsa ndau në rrjetet sociale edhe pamje nga rruga ekzistuese ku pritet nisja e e punimeve, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Ky segment rrugor shërben për ndërlidhjen e fshatrave të zonës së Zagorisë me Libohovën, Përmetin, Dropullin dhe Gjirokastrën.

Me ardhjen e stinës së dimrit ky segment krijon problem për lëvizjen e banorëve të këtyre zonave për arsye të rrëshqitjes së materialeve inerte anësore dhe deformimit të trupit të rrugës.

Sipas FSHZH-së qëllimi i ndërhyrjes është që të bëhet rehabilitimi sipas standardeve që kërkon një rrugë, për ofrimin e një lëvizje më të sigurt dhe më të shpejtë të mjeteve si dhe për lidhjen e fshatrave të kësaj njësie me territorin tjetër të bashkisë Libohovë si dhe bashkive fqinjë, Gjirokastër dhe Dropull.

Rruga ka një gjatësi prej 9 kilometrash dhe FSHZH parashikon një fond limit investimi prej rreth 2 milionë eurosh./ata