Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se ministrat dhe strukturat e varësisë së tyre nuk do të kenë më asnjë lidhje me tenderat, por do të merren me ndërtimin e politikave sektoriale.
Gjatë mbledhjes së zgjeruar me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, Rama u shpreh se “kjo shumicë me propozim të qeverisë dhe me votën e grupit parlamentar ka vendosur për të krijuar Shoqërinë Publike të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, që ka filluar punën zyrtarisht në 25 prill”.
Kryeministri informoi se do t’i kryejë kjo shoqëri të gjitha prokurimet e ministrive dhe institucionet e tyre të varësisë. “Asnjë ministër dhe strukturë e varësisë së tij nuk do të kenë më asnjë lidhje me tenderët, por do të merren me ndërtimin e politikave sektoriale”, shtoi ai.
“Kjo shoqëri e ndërtuar sipas modeleve më të mira europiane do të asistohet nga shoqëri partnere europiane që do të ofrojnë shërbimet e tjera edhe për të gjitha njësitë e pushtetit vendor apo për institucionet e tjera jashtë varësisë së pushtetit ekzekutiv, të cilat ne nuk i detyrojmë dot me ligj të heqin dorë nga organizmi i tenderave”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri u shpreh se operatori i blerjeve të përqendruara po ndërton një katalog dixhital të blerjeve të vogla për të gjitha institucionet publike.
“Institucionet publike nuk do të bëjnë tendera për çdo dërrasë të zezë, karrige zyre e çdo tavolinë, por të blejnë direkt nga katalogu, një lloj Amazoni i mallrave për të gjitha shërbimet mbështetëse të institucioneve të shtetit, duke kursyer kohë, para, por mbi të gjitha duke i mbyllur derën korrupsionit”, shtoi Rama.
Po ashtu, kryeministri theksoi se po punohet nga AKSHI në bashkëpunim me “Microsoft” për modelin revolucionar të prokurimeve me inteligjencë artificiale.
Rama shprehu bindjen se ky model prokurimi me inteligjencë artificiale, do të jetë një shkelm dërmues për korrupsionin.
“Do ta bëjë Shqipërinë një shembull ekzemplar, të shkëlqyer, mes shembujve të vendeve në zhvillim, ku teknologjia digjitale mundëson çudira gjithnjë e më të paimagjinueshme deri vetëm pak vite më parë, dhe ku pikërisht vende si Shqipëria, mund të lëvizin shumë më shpejt përpara sepse nuk kanë institucione dhe mekanizma burokratikë të konsoliduar me shekuj si vendet më të zhvilluara të Europës”, theksoi ai./ata