Në një sulm që ushtria izraelite kreu në veri të Rripit të Gazës ka humbur jetën Hassan Hamad, i cili ushtronte detyrën e kameramanit të pavarur (freelancer) edhe për Anadolu.
Trupi dhe jeleku i shtypit i Hamad-it, që humbi jetën në bombardimin izraelit ndaj shtëpisë së tij në kampin e refugjatëve Jabalia, u sollën në spitalin Kamal Adwan në veri të Rripit të Gazës.
Mohammad Hamad, vëllai i gazetarit palestinez Hassan Hamad, tha se ka mundur ta njohë vëllain e tij vetëm nga flokët për shkak se tërësia trupore e tij pas sulmit ishte e dëmtuar.
Mohammad tha se vëllai i tij ka qenë në detyrë që nga dje për të transmetuar për sulmet e Izraelit në veri të Rripit të Gazës.
Numri i gazetarëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 rritet në 175
Zyra për media e qeverisë në Gaza tha se gazetari palestinez, Hassan Hamad, humbi jetën në bombardimet izraelite ndaj shtëpisë së tij në kampin e refugjatëve Jabalia.
Nga atje theksuan se numri i gazetarëve të vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 është rritur në 175.
Gjithashtu në njoftimin e zyrës për media apelohet deri te komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare të lidhura me median që të "kalohet në veprim për zbatimin e sanksioneve parandaluese ndaj Izraelit, me qëlim ndaljen e vrasjeve të gazetarëve palestinezë dhe gjykimin e Izraelit në gjykatat ndërkombëtare për shkak të krimeve që ka kryer"./aa