Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar nën drejtimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi mbledhjen e parë për këtë vit shkollor, ku u prezantuan masat e marra për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2024-2025.

Në mbledhje u prezantuan edhe disa nisma të reja të MAS, ndër të cilat dokumenti i ri që do të finalizohet së shpejti, Modernizimi i Kornizës Kurrikulare të Arsimit Paraunivesitar, një dokument i hartuar dhe punuar nga grupi i ekspertëve të fushës me fokus përgatitjen e nxënësve në përgjigje të zhvillimeve dhe kërkesave të shoqërisë si edhe arsimit të shekullit XXI.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka nënvizuar se të gjitha këto përmirësime për modernizimin e Kornizës Kurrikulare të Arsimit Paraunivesitar bëhen që të kemi fëmijët dhe të rinj sa më të aftë kur dalin nga bankat e shkollës dhe që shkolla t’i përgjigjet sfidave të kohës.

“Tashmë jemi në finalizim të modernizimit të Kornizës Kurrikulare, një dokument i cili orienton vëmendjen drejtë sfidave të kohës, përafron kornizën kurikulare me modelet më të mira në vendet e zhvilluara, vendos kompetenca të reja që duhet të marrin nxënësit, por edhe në funksion të mësuesit që do të duhet të kenë të gjithë ekspertizën e tyre përmes edukimit në vazhdim për ti transmetuar të nxënësit njohuritë në mënyrë sa më të mirë por edhe me metoda modern dhe inovatore duke përdorur dhe platforma digjitale”, nënvizoi  Manastirliu.

Përditësimi i Kornizës Kurrikulare të Arsimit Paraunivesitar dhe kurrikulave bërthamë sjellë nëvojën e një përditësimi të programeve lëndore me fokus në kompetencat kyçe gjuhësore, matematikore dhe digjitale.

“Sa i përket teksteve, kemi nevojë t’i dedikojmë akoma më shumë rëndësi programeve lëndore dhe kurrikulës bërthamë sa i përket Gjuhës Shqipe, Matematikës, aftësive digjitale pra TIK-ut dhe sigurisht shkencave”, tha Manastirliu.

Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar më përfaqësues nga arsimi parauniversitar, prindër, sindikata, përfaqësues të arsimit të lartë, kanë vlerësuar pozitivisht ndryshimet e propozuara për Modernizimin e Kornizës Kurikulare të Arsimit Paraunivesitar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe strukturat e saj arsimore.

Risitë në kornizën kurrikulare të përditësuar do të sjellin, përditësimin e kompetencave kyç për të nxënit gjatë gjithë jetës; integrimin dhe përshtatjen e kurrikulës më zhvillimit e reja të teknologjisë; krijimin e një programi të thelluar për matematikën dhe shkencat; rritjen e peshës së kurrikulës bazë në shkollë; udhëzimet metodologjike për të nxënit dhe vlerësimin e nxënësve në koherencë me vlerësimin PISA, TIMSS, PIRLS dhe orientimin për karrierë./ata