Në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër nisi sot vitin e ri akademik.

Në vitin e parë në këtë universitet janë regjistruar rreth 350 studentë, ndërsa degët e preferuara janë Infermieria dhe Fakulteti Ekonomik.

Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, Jaho Canaj tha sot për mediet se këtë vit të ri akademik universiteti vjen me disa risi të veçanta siç janë vënia në funksion e disa programeve të dyfishta me Universitetet e Evropës Perëndimore kryesisht me Italinë në Fakultetin Ekonomik.

“Një tjetër risi këtë vit të ri akademik pranë universitetit tonë është rihapja gjithashtu e programit të doktoraturës falë përpjekjeve të stafit akademik, ndihmës së paçmuar që na ka dhënë qeveria shqiptare dhe konsullata greke për hapjen e doktoraturës në shkencat e “Edukimit dhe humane”, ku do të përfshihet një numër i madh pedagogësh jo vetëm si udhëheqës të këtyre doktoraturave, por edhe për pedagogët që duan të fitojnë titullin “Doktor i shkencave”, nënvizoi Jahaj.

Rektori Jahaj u shpreh se “ky program do të mundësohet në bashkëpunim ime universitetin e Maqedonisë Perëndimore”.

Sa i përket degëve të mësuesisë, rektori tha se “asnjë prej degëve të mësuesisë nuk rrezikon të mbyllet pavarësisht tkurrjes së numrit të studentëve që vijnë në degët e mësuesisë. Ky është një fenomen mbarëkombëtar që nuk përfshin vetëm Universitetin e Gjirokastrës, por është një problem shqetësues për të gjitha universitetet publike dhe jo publike, të cilat ofrojnë programet e studimit në mësuesi”.

Megjithatë, shtoi ai,  ne ende vazhdojmë t’i mbajmë aktive këto programe.

“Është siguruar numri minimal i studentëve për të pasur aktive këtë degë. Ato degë që janë mbyllur në vite siç është Matematika, Fizika apo Historia dhe Gjuha Italiane nuk kanë arritur të sigurojnë kuota ashtu si edhe në universitetet e tjera”, tha Jahaj.

Rektori Jahaj bëri të ditur se në universitetin “Eqrem Çabej ka rreth 43 programe studimi.

Jahaj tha se ka pasur interes edhe për programet dyvjeçare, pasi ata studentë të cilët nuk sigurojnë dot mesataren preferojnë degët 2-vjeçare. “Ka tendencë në rritje në disa programe studimesh”, shtoi ai.

Jahaj informoi se aktualisht niveli i regjistrimit është në të njëjtin nivel të vitit kaluar, kjo vjen edhe nga ulja e kontingjentit të maturantëve në shkollat e sistemit parauniversitar, gjë që pasqyrohet edhe në regjistrimet në universitet./ata