Në Durrës u çel edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor me temë Inteligjenca artificiale: “E ardhmja hibride”.

Në të marrin pjesë 40 artistë nga 17 vende të ndryshme të botës. Artistët pjesëmarrës kanë prekur kufijtë mes reales dhe surreales në veprat e tyre që janë ekspozuar në disa prej institucioneve dhe hapësirave publike të qytetit, duke përfshirë monumentet e trashëgimisë kulturore.

Për 54 ditë, qyteti 3000-vjeçar kthehet në qendër arti ku pavijonet do të ndërthuren me monumentet.

Kuratori i Bienales së Durrësit, Oltsen Gripshi është shprehur për mediet se, kjo është një risi për Durrësin dhe vendin pasi nuk ka pasur një bienale kushtuar artit bashkëkohor.

Në ceremoninë e hapjes, u ndanë disa çmime të rëndësishme, përfshirë çmimin për Pavijonin më të Mirë të Bienales që shkoi për pavijonin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Çmimin Special për Artistin e Ri që e mori Lai Junjie nga Kina, si dhe atë të karrierës për skulptorin shqiptar Sadik Spahija.

“Inteligjenca artificiale pa dyshim që do ta ndihmojë botën të bëhet më e mirë, por arti gjithnjë do të përfaqësojë, në bashkëpunim me të, një nga motivet bazë për zhvillimin e kulturës dhe njerëzimit“, tha Massimo Scaringella, kryetar i jurisë.

Bienalja e Durrësit, e cila mbështetet nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, synon të kthehet në një event të qëndrueshëm duke i dhënë vlerë të shtuar dhe turizmit në Durrës.

Punimet e saj do të vazhdojnë të ekspozohen deri më 24 nëntor./ata