Protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike nisi rreth orës 18:40. Protestuesit u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Kryeministrisë.

Vetëm pak minuta nga nisja e protestës, e cila drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, protestuesit nisën përplasjen me efektivët e Policisë së Shtetit si dhe hodhën molotovë në drejtim tē godinës së Kryeministrisë. Policia u bëri thirrje në mënyrë të vazhdueshme protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të ndalin veprimet e dhunshme.

Pas disa minutash, protestuesit u larguan nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Nga hedhja e molotovëve është djegur edhe një pemë përpara Kryeministrisë, teksa policia tentoi fikjen e zjarrit. Pas hedhjes së disa molotovëve dhe tymueseve, situata duket se është qetësuar tek Kryeministria, teksa protestuesit vijuan drejt sheshit “Skëndërbej”

Protestuesit të prirë nga drejtuesit e Partisë Demokratike janë larguar nga sheshi përpara Kryeministrisë, teksa rrugës protestuesit kanë djegur një stacion autobusi. Ata kanë bllokuar kryqëzimin mes Tajvanit dhe urës së Lanës në bulevardin kryesor, ku ka pasur makina të bllokuara në trafik, pas bllokimit të rrugës. Ndërkohë protestuesit vijojnë të hedhin mjete piroteknike. Protestuesit kanë djegur gjithashtu dhe një kosh mbeturinash.

Protesta është thirrur nga Partia Demokratike si reagim pas dënimit me 1 vit burg të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor nga gjykata për “Kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babalja”./ata