Protesta e sotme e opozitës ka nisur në mënyrë të dhunshme, teksa protestuesit kanë hedhur bomba molotov dhe tymuese në drejtim të forcave të Policisë dhe të godinës së Kryeministrisë.

Gjithashtu ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Policia u ka bërë thirrje protestuesve të ndalojnë hedhjen e molotovëve dhe tymueseve, teksa forcat zjarrfikëse janë përpjekur të shuajnë zjarrin.

Nga hedhja e molotovëve është djegur edhe një pemë përpara Kryeministrisë dhe një tjetër pemë përballë hotel “Rogner”.

Pas hedhjes së disa molotovëve dhe tymueseve, situata është qetësuar përpara godinës së Kryeministrisë, teksa protestuesit të prirë nga drejtuesit e Partisë Demokratike janë larguar nga sheshi përpara Kryeministrisë.

Ata janë nisur në drejtim të “Tajvanit” dhe rrugës protestuesit kanë vijuar të hedhin bomba molotov dhe kanë djegur një stacion autobusi.

Më pas protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin mes “Tajvanit” dhe urës së Lanës në bulevardin kryesor, ku ka pasur makina të bllokuara në trafik, pas bllokimit të rrugës. Ndërkohë protestuesit kanë vijuar të hedhin mjete piroteknike.

Më pas protestuesit kanë marrë drejtimin e “Tajvanit”, duke kaluar mes makinave të mbetur në trafik.

Protestuesit e prirur nga drejtuesit e PD, Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar dhe Flamur Noka, sekretar i përgjithshëm, i janë drejtuar më pas godinës së Partisë Socialiste, teksa kanë hedhur bomba molotov, flakadanë, kapsolla, tymuese në drejtim të saj dhe punonjësve të Policisë. Nga bombat molotov ka marrë flakë godina e PS-së, teksa është djegur baneri i madh në murin e PS-së me pamjen e kryeministrit Edi Rama. Hedhja e bombave molotov apo kapsollave kanë rrezikuar dhe shëndetin e punonjësve të policisë, të cilët janë vendosur përpara institucioneve për të ruajtur sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimit të opozitës.

Pasi janë hedhur disa bomba molotov, Policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Me pas protestuesit i janë drejtuar kompleksit të ministrive dhe aty kanë hedhur lëndë plasëse në oborrin e Ministrisë së Brendshme, teksa disa efektivë të Policisë kanë mbetur të lënduar.

Protestuesit kanë hedhur bomba molotov edhe në drejtim të bashkisë së Tiranës, teksa një bombë është hedhur mes policëve, duke i vënë flakën një polici, teksa kolegët e kanë ndihmuar për të shuar flakët. Policia më pas ka hedhur ujë në drejtim të protestuesve duke kërkuar që t’i shpërndajë dhe më pas është hedhur edhe gaz lotsjellës.

Të drejtuar nga Bardhi dhe Noka protestuesit kanë vijuar të ecin në rrugët e kryeqytetit teksa pasi lanë pas bashkinë, protestuesit kanë thyer disa xhama të reklamave në trotuare.
Sakaq, ata kanë djegur një tjetër kazan plehrash tek e njëjta zonë. Protestuesit më pas i janë drejtuar godinës së Parlamentit, ku edhe aty ka pasur hedhje të lëndëve plasëse, teksa policia ka larguar protestuesit me gaz lotsjellës.

Protesta është thirrur nga Partia Demokratike, e mbështetur edhe nga Partia e Lirisë dhe aleatët e tjerë, ashtu siç ishte paralajmëruar nuk pati deklarata./ata